Kosova e Shqipëria zotohen për thellimin e bashkëpunimit për auditime

Kosova e Shqipëria zotohen për thellimin e bashkëpunimit për auditime

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka pritur në takim kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh), me bashkëpunëtorë.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë ndër vite ndërmjet ZKA-së dhe KLSh-së, i ndërtuar mbi profesionalizëm, besim dhe mbështetje të ndërsjellë.

Spanca dhe Shehu u zotuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional, me theks të veçantë në realizimin e auditimeve paralele në fushën e bujqësisë, blegtorisë, si dhe të sigurisë në vend.

Deri më tani janë realizuar disa auditime paralele, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e dy institucioneve për të koordinuar qasje dhe metodologji të përbashkëta.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka qenë i qëndrueshëm dhe përmbajtjesor, duke shtuar se shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja profesionale ndërmjet dy institucioneve ka kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e rolit të institucioneve në shërbim të llogaridhënies publike.

Po ashtu, palët theksuan lidhjen e veçantë që i bashkon si pjesë e të njëjtit komb, çka e bën bashkëpunimin jo vetëm institucional, por edhe natyrshëm të afërt në misionin për forcimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë.