Kosova e Shqipëria synojnë themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale”
Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, e vizitoi Kosovën këtë të enjte ku u takua me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se Muçostepa në Prishtinë erdhi me vullnetin për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Pjesë dhe mbështetëse e takimit me qëllim përmbushjen e deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e ‘Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë’, ishte Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë”.
“Kjo Dhomë e përbashkët do të jetë në interes të biznesit Shqipëri-Kosovë dhe do t’i propozoj qeverive të vendeve tona shqetësimet e komunitetit të biznesit nga të dyja vendet, në përputhje me deklaratën e përbashkët të nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive, më 26.11.2018 në Pejë”, shkroi Malaj.
Tutje, Malaj tha se nga sot, ky organizim do të vazhdojë me të gjithë hapat e nevojshëm për funksionalizimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë” dhe zbatimin e deklaratës së objektivave të përbashkët për këtë qëllim.