Kosova e mbyll me barazim në Riga edicionin në Ligën C

Kosova e mbyll me barazim në Riga edicionin në Ligën C

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka mbyllur me barazim ciklin e ndeshjeve në Grupin 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

Në ndeshjen e fundit të grupit dhe vendimtare për promovim në Ligën B, Dardanet barazuan 2:2 në udhëtim ndaj Letonisë, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Riga.

Kosovës i duhej fitorja për ta siguruar vendin e parë dhe për t’u ngjitur në Ligën B, pasi në ndeshjen e parë ndaj Letonisë kishte pësuar humbje në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por përkundër përpjekjeve të mëdha, vajzat e drejtuara nga Sami Sermaxhaj nuk arriti ta përmbushë objektivin.

Vendaset kaluan të parat në epërsi me autogolin e pafat të Marigonë Tahirit në minutën e 17-të. Reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm. Vetëm pas tre minutash, Blerta Smaili barazoi shifrat në 1:1, ndërsa në minutën e 31-të, kapitenia Erëleta Memeti shënoi për përmbysjen e rezultatit në 2:1.

Megjithatë, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Letonia shënoi golin e barazimit përmes Karifina Miksone, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2:2.

Në pjesën e dytë përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur golin e fitores, Dardanet nuk arritën ta thyejnë rezistencën e vendasve. Me këtë rezultat, Kosova e përfundon grupin në pozitën e dytë, duke mos arritur promovimin në Ligën B.