Kosova dhe Shqipëria mësojnë kundërshtarët të raundit kualifikues në futsall
Përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në futsall kanë mësuar kundërshtarët në kualifikueset e Kampionatit Evropian. Shorti i hedhur të enjte në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës e ka pozicionuar Kosovën në Grupin 10 derisa Shqipërinë në atë 6.
“Dardanët” do të kenë punë me Francën, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë në grupin 10. Ndërkohë kuqezinjtë ndodhen në Grupin 6 dhe do të përballen me Danimarkën, Armeninë dhe Kazakistanin.
Të gjitha ndeshjet kualifikuese do të luhen në periudhën 9 dhjetor 2024-16 prill 2025 me sistem vajtje-ardhje. 10 vendet e para të çdo grupi do të kalojnë menjëherë në finalet e Kampionatit Evropian të Futsallit, ndërsa tetë vendet e dyta më të mira do të shkojnë në “play-off” ku do të luajnë shanset për t’u kualifikuar në finalet e Evropianit të Futsallit. Ndeshjet e raundit “play-off” do të luhen në datat 15-24 shtator 2025, ndërsa finalet e Kampionatit Evropian të Futsallit do të organizohen nga Letonia dhe Lituania në periudhën 18 janar-8 shkurt 2026.