Kosova dhe ShBA nënshkruajnë marrëveshje për sigurinë e komunikimit dhe ndërveprueshmëri

Kosova dhe ShBA nënshkruajnë marrëveshje për sigurinë e komunikimit dhe ndërveprueshmëri

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), gjenerallejtënant Bashkim Jahari, ka pritur të martën në takim gjeneralmajor John Phillips, drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në EUCOM.

Fillimisht gjeneral Jashari falënderoi gjeneralin Phillips për bashkëpunimin korrekt dhe profesional në mes të FSK-së dhe EUCOM.

Pastaj u diskutua për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit.

Gjeneralmajor Phillips përgëzoi gjeneral Jasharin për arritjet të cilat që janë bërë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë këtij takimi komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtori i J6 EUCOM, gjeneralmajor John Phillips, përmes një ceremonie zyrtare nënshkruan marrëveshjen e Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA).

Kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë pasiqë mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta, kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK.

Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.