Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza për situatën e serbëve në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë në presion prej Qeverisë së Serbisë, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët në Kosovë po maltretohen në lloj-lloj formash nga autoritetet atje, pa ofruar ndonjë dëshmi.
Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ata i kanë bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Përfaqësues të vendeve tjera pjesëmarrëse kanë bërë thirrje që Serbia t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në incidentin në Banjskë të Zveçanit, që ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar, për formim të Asociaconit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për zgjidhje të çështjes së dinarit serb.
Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuari një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.
Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Franca ka kërkuar edhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, duke thënë se “tërheqja e kryetarëve aktualë shqiptarë do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”.
Deklarata e tij vjen një ditë pas mbajtjes së një votimi në katër komunat në veri të Kosovës, për të larguar apo jo kryetarët atje.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.
Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.
Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.
Iniciativa për largim ose jo të kryetarëve është organizuar, pasi faktori ndërkombëtar ka kërkuar largim të kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – ka qenë legjitim, megjithatë, ai nuk e ka reflektuar vullnetin e qytetarëve.
Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin zgjedhor dhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.
Kur ka folur për këtë çështje, Osmani ka thënë se serbët në Kosovë duhet ta falënderojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pse kryetarët shqiptarë janë ende në ato pozita.
Presidenti Vuçiq ka thënë se bojkotimi prej anës së serbëve është i arsyeshëm, duke pretenduar se në muajt e fundit në veri të Kosovës është rritur artificialisht numri i votuesve shqiptarë.
Asnjë anëtar i misioneve diplomatike në Kosovë, dhe as monitorues ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Kosovë, nuk i kanë konfirmuar supozimet e Vuçiqit për rritje artificiale të numrit të votuesve.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, e ka përsëritur edhe në këtë takim se SHBA-ja beson që misioni i UNMIK-ut në Kosovë e ka kryer punën e vet dhe që duhet të përmbyllet.
Përgjatë fjalimit të saj, Osmani ka thënë se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.
“Vetëm imagjinojeni një politikan serb që ka vendosur lule para varrit të një vajze shtatëvjeçare gjatë kohës së luftës, i cili është arrestuar menjëherë dhe është torturuar në burgjet e Serbisë”.
Ky, sipas saj, është fati i çdo serbi që nuk është në linjë me qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.