Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë pesë marrëveshje bashkëpunimi

Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë pesë marrëveshje bashkëpunimi

Kryeministri Albin Kurti u mirëprit të premten nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković.

Të dy kryeministrat biseduan rreth marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet shteteve dhe popujve të dy vendeve.

Bashkë diskutuan për marrëveshjet që u nënshkruan të premten dhe për marrëveshjet e reja të mundshme që do ta zgjeronin bashkëpunimin në fushën e sistemit të drejtësisë, kulturës dhe arsimit.

Së fundmi, në Kroaci u nënshkrua zotimi për Themelimin e Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” në Universitetin e Zarës.

Qendra për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” do të shërbejë si një platformë hulumtuese për promovimin e gjuhës, historisë, arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, duke i kushtuar një vend të veçantë trashëgimisë së veprës së historianit dhe albanologut të shquar Milan Šufflay.

Temë qendrore e bisedë ishin gjithashtu bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, me ç’rast diskutuan për mundësitë dhe fushat me potencial për investime të huaja.

Kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij për ofertën e Kosovës për investitorë të huaj, krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, përparimit demokratik, stabilitetit institucional dhe përmirësimit në sundimin e ligjit që ka shënuar vendi në vitet e fundit.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe në anëtarësimin dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare, si dhe falënderimin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Kurti gjithashtu e njoftoi kryeministrin kroat Plenković edhe rreth zhvillimeve të fundit në vend, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit që për cak kishte popullatën civile përmes dëmtimit të infrastrukturës kritike, për çka vetëm reagimi i shpejtë dhe profesional i institucioneve përkatëse në sanimin e dëmeve ka evituar ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve.

Ai ndau me homologun e tij detaje rreth sulmit për të cilin metoda dhe ekzekutimi i tij, së bashku me konfiskimin e armatimit, uniformave dhe emblemave të ushtrisë, shumica dërmuese prej të cilave të Serbisë dhe 20 tjera të Rusisë, tregojnë për përfshirje të aktorëve të jashtëm, teksa hetimet e institucioneve të Republikës së Kosovës po vazhdojnë.

Në fund të takimit, u nënshkruan marrëveshje për Sigurimet shoqërore dhe Protokollin zbatues; Njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve; Bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike; Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim mes agjencive tona të forenzikës; Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Në deklarimin për media pas takimit bilateral kryeministri Kurti tha: “Për ne, Kroacia është një partner kyç rajonal dhe referencë për zhvillim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të popullit kroat, edhe para luftës, gjatë luftës e pas saj, por gjithashtu edhe për etapat rreth pavarësimit të Kosovës e konsolidimit tonë ndërkombëtar. Falënderoj Kroacinë për kontributin aktiv për sigurinë e Kosovës dhe të paqes në rajon përmes ushtarëve kroatë, që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Vlerat, pikëpamjet dhe historinë që ndajmë e kemi përgjegjësi që t’i përkthejmë në mirëqenie për qytetarët tanë e zhvillim të dy vendeve tona. Atë më së miri e arrijmë përmes bashkëpunimit ekonomik dhe përmes bashkëpunimit të brezave të rinj; të studentëve kroatë dhe të studentëve shqiptarë e të tjerë nga të dy vendet tona”.

Në takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.