
Kosova bie për 24 pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit
Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”. Këtë vit, vendi është renditur në pozitën e 99-të nga gjithsej 180 shtete, duke rënë për 24 vende në krahasim me vitin e kaluar.
Në vitin 2023, Kosova ishte në vendin e 56-të, ndërsa një vit më vonë në të 75-in. Tani, për vitin 2025, ajo renditet e 99-ta, duke shënuar rënie drastike dhe duke u pozicionuar më keq se çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian.
Sipas raportit, rënia lidhet drejtpërdrejt me gjuhën fyese dhe akuzat e pabazuara ndaj gazetarëve, sidomos ato që vijnë nga pushteti dhe që i ndërlidhin gazetarët me Serbinë.
Kosova ka përkeqësim në shumicën e indikatorëve: në atë politik nga pozita 59 në 93, në indikatorin ekonomik nga 71 në 101, si dhe në indikatorët social dhe të sigurisë. Vetëm në aspektin legjislativ ka shënuar një ngritje.
“Reporterët pa Kufij” përmendin gjithashtu sfidat me të cilat përballen gazetarët në vend, përfshirë sulmet verbale, mungesën e qasjes në dokumente publike, paditë strategjike dhe ndërhyrjet politike në institucionet mediale.