
Kos: Rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së varet nga dialogu me Serbinë
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.
Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos ka thënë, gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli, shkruan Rel.
Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.