Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër para rikthimit të Trumpit

Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër para rikthimit të Trumpit

Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër nga bregu i saj lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut, duke shënuar një tjetër demonstrim fuqie, disa ditë para rikthimit në detyrë të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Raketat udhëtuan rreth 250 km pas ngritjes rreth orës 09:30 të mëngjesit nga Kanggye, në Provincën Jagang, afër kufirit të vendit me Kinën, tha Këshilli i Përbashkët i Shefave të Shtabit të Seulit (JCS), raporton Rel.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë lëshim si një provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean,” tha JCS, duke e paralajmëruar Korenë e Veriut për “keqinterpretimin” e situatës dhe duke premtuar se do të “përgjigjen me forcë” ndaj çdo provokimi të mëtejshëm.

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, gjithashtu e dënoi lëshimin si një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tha se Seuli do të përgjigjet ashpër ndaj provokimeve të Koresë së Veriut.

Zyra presidenciale e Seulit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbajti një takim për të shqyrtuar situatën dhe premtoi një qëndrim të palëkundëshëm.

Komanda Indo-Pacifike e SHBA-së e dënoi këtë testim, duke i kërkuar Pjongjangut të heqë dorë nga veprime të mëtejshme të paligjshme dhe destabilizuese.