Konsumimi i drogës brenda objektit të komunës, suspendohet një zyrtar policor në Leposaviq
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar hetimet pas publikimit të video-incizimeve në Nacionale në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.
IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Me këtë rast IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.
Nryshe, kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi ka shkarkuar dje nga detyra nënkryetaren Dragana Miletiq, pas dyshimit se ka poseduar substanca narkotike.