Konjufca: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin pararendës të UÇK-së

Konjufca: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin pararendës të UÇK-së

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim para gazetarëve, Konjufca ka thënë se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot jemi mbledhur të gjithë këtu së bashku me presidenten për t’i kujtuar heronjtë tanë, patriotët e mëdhenj Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka të cilët 42 vjet më parë, u vranë nga UDB-ja jugosllave dhe serbe”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, këta të tre kishin dy qëllime madhore, të cilat duhet t’i kujtojmë e të cilat kanë peshë dhe rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës.

“E para ata u përpoqën që t’i bashkonin të gjitha organizatat ilegale, të cilat synim e kishin lirinë e popullit shqiptar dhe t’i sillnin në një kornizë të vetme dhe e dyta që kjo liri të vinte përmes çlirimit, përmes përpjekjes së organizuar dhe të armatosur të popullit të Kosovës”, ka shtuar ai.

“Pikërisht për këtë arsye unë do t’i quaja ata si pararendësit e UÇK-së. Në këtë kuptim ata kanë një peshë të jashtëzakonshme për historinë e Kosovës dhe do të kujtohen e nderohen gjithmonë”, është shprehur kryeparlamentari Konjufca.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se 17 janari është një prej datave që na kujton vazhdimisht që liria nuk është fituar lehtë dhe që liria nuk ka ardhur shpejt.

“Aq më tepër, 17 janari dhe datat e tilla të rëndësishme për ndërgjegjen historike të Kosovës do të duhej të na përkujtonin se sa e vlefshme është kjo liri që e kemi dhe sa duhet të punojmë e të luftojmë që ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta bëjmë Kosovën atë shtet të cilin e kanë dashur të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe janë flijuar për vendin e tyre”, është shprehur Gërvalla.