Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në Kosovë Ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka nënshkruar pesë instrumente të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.
Konjufca tha se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Francës ka rrënjë të thella dhe se Franca ka qenë përkrah Kosovës në periudhat vendimtare të historisë, duke mbështetur lirinë, shtetndërtimin, konsolidimin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit.
Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve po thellohen përmes një partneriteti konkret dhe të orientuar drejt së ardhmes. Në këtë kuadër u nënshkruan pesë marrëveshje, përkatësisht: marrëveshja për ekstradim, marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për mbështetjen e investimeve infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, deklarata e synimit për krijimin e Komitetit Francë–Kosovë për mbështetjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, si dhe marrëveshja administrative për zgjerimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në Kosovë.
Gjatë takimit, Konjufca dhe Haddad diskutuan edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, zhvillimet e sigurisë në rajon, bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Konjufca e falënderoi ministrin francez për vizitën dhe angazhimin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.

