Konjufca paralajmëron zgjedhje të jashtëzakonshme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka paralajmëruar zgjedhje të jashtëzakonshme në vendin tonë.
Gjatë homazheve në përkujtim të Kadri Zekës, Konjufca për lajmi.net ka thënë se është për mbajte të zgjedhjeve.
“Ne jemi të përgatitur për zgjedhje, edhe unë jam për zgjedhje, LV-ja është për zgjedhje”, ka thënë Konjufca.
Sipas Konjufcës në një shtet demokratik partitë politike duhet të jenë të gatshme çdo herë për zgjedhje.
Fundi i vitit 2024 ose fillimi i vitit 2025 do të jetë vit i zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.
Albin Kurti ka marrë mandatin qeverisës më 22 mars të vitit 2021. Pra, Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 22 mars 2021 dhe mandati fillon nga dita e konstituimit, që do të thotë mandati i kësaj legjislature përfundon më 22 mars 2025.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, zgjedhjet e rregullta parlamentare nuk mbahen më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit.
Duke iu referuar këtij ligji, sipas kompetencave të presidentit të përcaktuara me Kushtetutë, shefi i shtetit cakton datën e zgjedhjeve jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para datës së zgjedhjeve.
Në fillim të këtij viti janë shtuar zërat nga opozita dhe nga pushteti për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.