
Konjufca në Gllogjan: Dëshmorët i hapën rrugën ngritjes së Republikës sonë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Rifat Jasharin, kanë bërë homazhe në Gllogjan me rastin e 27-vejtorit të Epopesë së Dukagjinit.
Konjufca ka thënë se këtu e 27 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të zhvillonte një betejë të lavdishme frontale përballë forcave pushtuese të Serbisë, të cilën e përkujtojmë si Epopeja e Dukagjinit.
“Forcat e armikut e rrethuan Gllogjanin më 24 mars 1998, duke synuar që ta thyejnë atë vatër të rezistencës frymëzuese. Trimëria, vendosmëria dhe gatishmëria për të luftuar deri në fund i dha mesazhin e qartë Serbinë okupatore se asnjë rrethim nuk do të mund ta shuante përpjekjen për liri. Atë ditë kumboi fuqishëm thirrja e lirisë, që u bë frymëzim për të gjithë popullin shqiptar e në mbarë Kosovën, duke dhënë shembullin e lartësuar të rezistencës me armë në duar, të sakrificës në emër të aspiratën sonë të përbashkët çlirimtare”.
“Duke përkujtuar këtë betejë të shndritshme dhe për të nderuar sakrificën sublime të dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, sot bëra homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. Vepra e tyre heroike do të mbetet e paharruar, duke na frymëzuar neve dhe brezat e ardhshëm. Dëshmorët dhe të gjithë të rënët janë ata që i hapën rrugën ngritjes së Republikës sonë dhe ne kurrë nuk duhet të harrojmë se sa shumë u desh të përpiqemi e të japim për të fituar lirinë. Lavdi Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, që me gjakun e tyre e shënuan madhështinë e Epopesë së Dukagjinit, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri!”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.