Konjufca: Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë

Konjufca: Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë

Kyeparlamentari Glauk Konjufca ka theksur se me  pikëllim të thellë ka marrë lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare.

“Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar. Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anekënd botës, do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve. Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme. Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare! Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij! Ngushëllime mbarë kombit shqiptar”, ka shkruar Konjufca.