Kongresmeni Torres: ShBA-ja nuk ka aleat më të madh se Kosovën në Ballkan

Kongresmeni Torres: ShBA-ja nuk ka aleat më të madh se Kosovën në Ballkan

Kongresmeni Richie Torres në një intervistë për “Radio Kosovën” duke folur rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave ‘Javelin’ dhe miratimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se ShBA nuk ka aleat më të madh se Kosovën dhe se për këtë ka mbështetje edhe të kongresmenëve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosovën dhe kjo është në interes të ShBA-së që të mbështesë aleatët e saj, siç është shitja e raketave ‘Javelin’. Ju e keni mbështetjen e kongresistëve amerikanë edhe këtu në Uashington dhe për këtë ne përpiqemi t’ju ndihmojmë gjithashtu”, ka theksuar ai.

Torres ka theksuar se Kosova është një demokraci dhe një storie demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa, sipas tij, Serbia është një vend autokrat, përderisa Kosova është një aleate e ShBA-së.

I pyetur se a duhet të marrë ShBA-ja një rol më të madh udhëheqës në bisedimet Kosovë-Serbi, Ritchie Torres është përgjigjur: “Unë vërtet besoj që ShBA-ja është udhëheqëse e botës së lirë dhe ka një rol aktiv në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dialogu është esencial dhe duhet të vazhdojë e të udhëhiqet nga ShBA-ja”.