Konferenca për Sportin në Athinë: Më shumë punë që të parandalohen fenomenet negative në sport
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në Athinë të Greqisë, më 4 dhe 5 nëntor ka organizuar Konferencën për Promovimin e Sigurisë, Integritetit, Barazisë dhe Përfshirjes në Sport.
Për dy ditë radhas në këtë konferencë diskutimet u përqendruan në disa nga temat dhe çështjet kritike me të cilat përballet bota e sportit dhe sportistëve, publiku dhe shoqëritë tona, si: siguria dhe integriteti në sport, barazia dhe përfshirja, dinjiteti dhe mirëqenien e sportistëve. Që të gjithë folësit theksuan se ka përparime në këtë aspekt, por akoma ka nevojë për më shumë punë që të parandalohen fenomenet negative në aktivitetet sportive, por theksuan nevojën që secili të japë kontributin e vet.
Në këtë konferencë morën pjesë parlamentarë, politikëbërës, atletë, organizata sportive dhe ekspertë nga fusha të ndryshme, të cilët eksploruan dimensionet e shumanshme të këtyre çështjeve brenda fushës së sportit.
Hapjen e kësaj konference me fjalë rasti e bënë Presidenti i Parlamentit të Greqisë, Constantine An. Tassoulas, vendi i të cilit ishte edhe nikoqir i kësaj konference, si dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, të cilët theksuan se institucionet e tyre njohin potencialin transformues të sportit si një mjet i fuqishëm për përparimin shoqëror dhe për ruajtjen e vlerave thelbësore në të gjitha vendet.
Kuvendin e Kosovës në këtë konferencë e përfaqësuan deputetët Enis Kervan, kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, njëherësh anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, si dhe Ardian Gola, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Krahas folësve të tjerë, për këto tema, të pranishmëve iu drejtua edhe deputeti Kervan, i cili pasi njoftoi të pranishmit se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, përderisa nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare sportive kërkoi këshilla se çka duhet pasur parasysh gjatë organizimit të këtij aktiviteti.
“Fillimisht dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që jam pjesëmarrës në këtë konferencë në të cilën diskutohet për sportin. Dëshiroj t’i falënderoj penalistët për informatat dhe prezantimet e tyre shumë përmbajtjesore, por edhe kam një pyetje në përgjithësi, Lojërat Mesdhetare Prishtina 2023 do të mbahen në Kosovë, andaj çfarë mendoni dhe rekomandoni se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje gjatë organizimit të këtyre garave”, shtoi deputeti Kervan.
Në pyetjen e Kervanit u përgjigj përfaqësuesja e Këshillit të Lartët të Atletikës Botërore, Catherine Pitre, e cila tha se organizimi i garave të kësaj natyre kërkon përgatitje me kohë, koordinim gjithëpërfshirës të shtetit më organizatat relevante ndërkombëtare, me theks të veçantë marrja e masave të sigurisë, logjistikës, akomodimit, plane të eventuale të evakuimit, si dhe masat e tjera të nevojshme që sigurojnë mbarëvajtjen pa probleme te tyre.
Po ashtu në fund të konferencës u themelua Aleanca Parlamentare për Qeverisje dhe Integritet ne Sport, e cila ka për qellim forcimin, bashkëpunimin dhe koordinimin me forcat parlamentare dhe nxitjen e iniciativave të përbashkëta parlamentare.
Gjatë kësaj konference Parlamenti i Greqisë ndau edhe medalje për kampionët paraolimpikë dhe olimpikë, të cilët përfaqësuan Greqinë.