Komunat po përballen me një rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe përmbarimore

Komunat po përballen me një rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe përmbarimore

Instituti GAP ka publikuar raportin: “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”.

Sipas këtij raporti, komunat e Kosovës po përballen me një rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe përmbarimore.

“Gjatë periudhës 2022-2024, komunat kanë paguar mbi 163 milionë euro për këto obligime. Si rezultat, disa prej tyre janë detyruar të kërkojnë mbështetje financiare nga qeveria qendrore, ndërsa të tjera kanë qenë të detyruara të pezullojnë ose të heqin dorë nga projektet e planifikuara për investime kapitale. Shpenzimet përmbarimore janë rritur ndjeshëm në të gjitha komunat, pavarësisht madhësisë së tyre, që dëshmon për përhapjen e gjerë të këtij problemi”, theksohet nga GAP-i.

Ky raport thekson se obligimet përmbarimore nuk kanë rrjedhur vetëm nga kontrata kolektive në arsim, por edhe nga marrëveshje të ngjashme në shëndetësi.

“Gjithashtu, gjatë periudhës së fundit ka ndikuar edhe një vendim i Qeverisë së Kosovës i vitit 2008, i cili parasheh pagesë shtesë për të punësuarit në sektorin e arsimit, bazuar në nivelin e kualifikimit. Përveç shërbyesve publik në arsim dhe shëndetësi, kompensime nga gjykata po kërkojnë dhe realizojnë edhe shërbyesit civilë, veçmas për përvojën e punës, shujta, pagesë mbi bazë të inflacionit dhe shpenzime për transport”, thuhet në raport, duke shtuar se gjatë vitit 2024, një pjesë e konsiderueshme e komunave kanë pasur shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake apo investimet kapitale.

Po ashtu, sipas raportit në fjalë, komunat po përballen edhe me një rritje të vazhdueshme dhe të lartë të obligimeve të reja (detyrime kontigjente) të paraqitura në gjykata, që arrijnë rreth 208 milionë euro.

“Këto përfaqësojnë pretendime financiare që qytetarët dhe palë të tjera kanë ndaj komunës, e që kryesisht ndërlidhen me projekte kapitale. Përballja me barrën e obligimeve përmbarimore kërkon një reagim të koordinuar ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror. Meqenëse shumica e këtyre obligimeve burojnë nga vendime, kontrata dhe ligje të filluara nga niveli qendror, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë përsipër ekzekutimin e pagesave rreth vendimeve gjyqësore; të bëhet rishikimi i Ligjit për Pagat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës; dhe qartësimi i statusit të vendimit të Qeverisë të vitit 2008 lidhur me kualifikimet e mësimdhënësve. Po ashtu, për çdo vendim apo ligj të ardhshëm që mund të krijojë barrë financiare për komunat, ato duhet të përfshihen në të gjithë procesin e negociimit dhe përmbajtjes së tyre”, është thënë në raportin e GAP-it.