Komuna e Prizrenit dhe UNDP fillojnë një Projekt për Promovimin e Turizmit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimin Ekonomik
Në përpjekje të përbashkët për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të sektorit privat, Komuna e Prizrenit dhe UNDP në Kosovë nënshkruan marrëveshje për të zbatuar një projekt që do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në qytet.
Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, Nuno Queiros, theksoi se qëllimi i tyre nuk është thjesht të rrisin numrin e vizitorëve por, i një rëndësie vendimtare është të sigurojnë që rritja e turizmit të reflektohet në përfitime të qarta për ekonominë vendase dhe sektorin privat.
“Duke rigjallëruar modelet tradicionale të biznesit, ne synojmë të ndërtojmë një themel ekonomik të qëndrueshëm që mund të përshtatet dhe të lulëzojë. Ky partneritet i fundit plotëson bashkëpunimin që daton më shumë se 10 vjet në mes të UNDP-së dhe Komunës së Prizrenit dhe është një testament për atë që ne mund të arrijmë së bashku. Unë besoj fuqimisht se së bashku do të nxisim potencialin e plotë të Prizrenit si destinacion kryesor për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, vuri në pah rëndësinë e projektit, duke thënë se zhvillimi i turizmit në Prizren është një mundësi e mirë për ta stimuluar ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke rritur nivelin e cilësisë së jetesës së banorëve.
“Investimi në infrastrukturën turistike dhe promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit, domosdo tërheq vizitorë dhe forcon ekonominë lokale. Prioriteti i zhvillimit të turizmit përputhet me aspiratat tona për t’u bërë një destinacion i njohur, duke kontribuar në zhvillimin rajonal dhe njohjen ndërkombëtare të Prizrenit”.