Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, e udhëhequr nga Fitore Mehmeti Behrami, organizoi një takim koordinues lidhur me masat parandaluese dhe gatishmërinë institucionale për sezonin e verës, me fokus të veçantë në parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve.
Pjesë e këtij takimi ishin Drejtori për Shërbime Publike, Naser Muja, Drejtoresha e Bujqësisë, Remzije Tmava Tupella, Drejtoresha për Mjedis, Arjeta Beqiri Hyseni, dhe Drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama. Gjithashtu, në takim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, Qendrës Operative Emergjente 112, Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve, përfaqësues të FSK-së, përfaqësues të Ujësjellësit Rajonal Mitrovica, përfaqësues të Kryqit të Kuq, si dhe akterë të tjerë relevantë.
Gjatë takimit u diskutua për rreziqet e mundshme nga zjarret gjatë muajve të verës, duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe zonat malore të Komunës së Mitrovicës. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimit të veprimeve dhe gatishmërisë për reagim të shpejtë në rast të paraqitjes së zjarreve.
Po ashtu, u dakordua krijimi i një rrjeti funksional bashkëpunimi ndërmjet të gjitha institucioneve pjesëmarrëse, evidentimi i zonave me rrezikshmëri të lartë dhe angazhimi i grupeve vullnetare në mbështetje të strukturave përgjegjëse. Të gjithë pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të kontribuar dhe për të qenë aktivë gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës publike dhe private, si dhe të mjedisit.

