KOMF-i mirëpret përpjekjet e qeverisë për avancimin e shtesave për fëmijë

KOMF-i mirëpret përpjekjet e qeverisë për avancimin e shtesave për fëmijë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka mirëpritur vendimin e ministrit të Financave për dyfishimin e shtesave për fëmijë, e cila është dokumentuar në shumë vende të botës si instrument efektiv në zbutjen e varfërisë së fëmijëve, parandalimin e uljes së natalitetit dhe rritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve.

Me qëllim të krijimit të një skeme të shtesave për fëmijë gjithëpërfshirëse, efektive dhe të qëndrueshme, KOMF ka propozuar për rishikimin e skemës së shtesave për fëmijë me qëllim të përfshirjes së fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare.

“Aktualisht kjo skemë nuk është gjithëpërfshirëse, pasi përfshinë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare. Legjislacioni në Kosovë por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18-vjeçare. Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare. Rritjen graduale të shtesave për fëmijë duke filluar nga viti i ri fiskal për të siguruar mirëqenien e fëmijëve. Shuma aktuale e shtesave për fëmijë vazhdon të jetë e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve. Hartimin e bazës ligjore për shtesat për fëmijë për të siguruar qëndrueshmëri, duke qenë se aktualisht shtesat për fëmijë ofrohen në bazë të një vendimi. Krijimin e procedurave lehtësuese për aplikimin dhe përfitimin e shtesave për fëmijë për fëmijët pa kujdes prindëror. Aktualisht, fëmijët pa kujdes prindëror nuk gëzojnë këtë të drejtë dhe nuk përfitojnë nga shtesat për fëmijë”, ka theksuar KOMF.