
Kombëtarja U16 e vajzave përgatitet për turneun e UEFA-s në Estoni
Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e vajzave ka zhvilluar sot stërvitjen e parë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për turneun zhvillimor të UEFA-s, që do të mbahet në Estoni nga 28 prilli deri më 5 maj.
Në këtë turne, përveç Kosovës dhe Estonisë, pjesëmarrëse do të jenë edhe Kombëtaret e Sllovakisë dhe Islandës.
Nën drejtimin e përzgjedhëses Xhuli Berisha dhe asistenteve të saj, Florentina Kallaba dhe Diellza Musa, Dardanet e reja kanë punuar me përkushtim dhe intensitet të lartë gjatë stërvitjes së parë, teksa para nisjes për në Evropën Veriore, ato do të zhvillojnë edhe dy seanca stërvitore të dielën.
Në këtë turne, përzgjedhësja Berisha do të ketë në dispozicion 20 futbolliste, të cilat janë një përzierje e gjeneratës 2009 dhe 2010, me synim të qartë për ndërtimin e një baze solide për Kombëtaren U17 në ciklin e ardhshëm kualifikues.
Deklaratat:
Xhuli Berisha, përzgjedhëse: Është mirë që faza e kampionatit tek ne është duke u zhvilluar dhe futbollistet e grumbulluara të gjitha luajnë në Ligën U17. Sot është grumbullimi ynë i parë. Janë dy gjenerata 2009 dhe 2010 që për herë të parë luajnë së bashku, andaj shpresoj se me stafin do të arrijmë t’i kombinojmë që të bëjmë më të mirën në këtë turne. Realisht nuk i njoh kundërshtarët aq mirë, Estoninë pak a shumë, derisa Islanda dhe Sllovakia mund të jenë kundërshtarë më të fortë në letër, por fusha nuk dihet çfarë tregon. Sidoqoftë, ne shpresojmë se do t’i kundërvihemi në mënyrën më të mirë.
Erëza Gashi: Po kalojmë shumë mirë, atmosfera është në nivel. Stafi është shumë i mirë. Jemi njoftuar me disa lojtare që nuk i kemi pasur në grumbullimet e kaluara. Do ta përfaqësojmë Kosovën siç është më së miri dhe synojmë të dalim triumfues nga këto tri ndeshje.
Ema Maliqi: Jemi duke u përgatitur maksimalisht. Stërvitja po shkon shumë mirë. Nuk është hera e parë që jam këtu dhe sa herë vij jap 100 përqindshin tim që ta përfaqësoj Kosovën sa ma mirë. Shpresoj se ashtu si po shkon stërvitja mirë, të shkoj edhe turneu në Estoni. Të gjitha ekpet janë të forta, por edhe ne jemi të forta. Cilido kundërshtar që na del përpara ne shkojmë për fitore dhe ta përfaqësojmë sa më mirë vendin tonë. Nuk na intereson kush është kundërshtari, ne shkojmë për fitore.