Kombëtarja e Kosovës mban seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Rumani
Kombëtarja e Kosovës zhvilloi paraditen e sotme seancën e tretë stërvitore dhe të fundit në Kampin Nacional në Hajvali, para ndeshjes së radhës në Ligën e Kombeve kundër Rumanisë. Futbollistët dardanë punuan me përkushtim të lartë, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij e orientuan stërvitjen kryesisht në detaje taktike, duke synuar përmirësimin e skemave të lojës për përballjen e së premtes.
Në seancën e sotme mungoi Donat Rrudhani, i cili pësoi lëndim në stërvitjen e djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore u lirua nga grumbullimi. Përkundër mungesave të rëndësishme si pasojë e lëndimeve, atmosfera brenda kampit të dardanëve mbetet pozitive dhe optimiste.
Pas përfundimit të stërvitjes, Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu ndanë optimizmin e tyre për paraqitje të mirë në Bukuresht, duke theksuar përkushtimin e ekipit për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive.
Ekspedita e Kombëtares së Kosovës udhëton nesër në mesditë drejt Bukureshtit, ku do të zhvillohet përballja me Rumaninë të premten, më 15 nëntor.