Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë konfirmon mbështetjen për FSK-në

Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë konfirmon mbështetjen për FSK-në

Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (U.S. Army Europe and Africa) gjeneral Christopher Donahue, ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë rast u prit në takim nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Fillimisht gjeneral Jashari e njoftoi gjeneralin Donahue mbi të arriturat e FSK-së, situatën aktuale dhe planifikimet për të ardhmen. Pastaj gjatë takimit u diskutua në përgjithësi mbi sfidat globale të sigurisë dhe në veçanti mbi sfidat rajonale.

Ndërsa gjeneral Donahue e përgëzoi gjeneral Jasharin për lidershipin e treguar gjatë proceseve dhe sfidave të ndryshme në të cilat ka kaluar Republika e Kosovës në përgjithësi dhe Forca e Sigurisë së Kosovës në veçanti.

Gjithashtu gjeneral Donahue konfirmoi mbështetjen e tij për rrugëtimin e përbashkët drejt arritjes së objektivave strategjike.

Në fund të dy gjeneralët diskutuan për investimet në projektet e përbashkëta me interes reciprok të ushtrisë Amerikane dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilat ndikojnë në rritjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Ky takim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.