KOK-u publikon sloganin për Paris 2024: Frymëzimin e kemi gjetur te tre vajzat e arta
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar sloganin që do ta bartë ekipi kosovar në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi potencoi se frymëzimin e kanë gjetur te tre medaljet e arta në dy pjesëmarrjet e kaluara.
Krasniqi beson se ky slogan do të jetë motiv shtesë për sportistët që do të përfaqësojnë Kosovën.
“Sot siç po e shihni janë edhe 50 ditë deri në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe pikërisht në këtë ditë kemi vendosur “GoldenEuropeans”, pse kemi ardhur deri te ky slogan, frymëzimin e kemi gjetur tek historia jonë e suksesshme në Lojërat Olimpike”, u shpreh Krasniqi.
“Në dy pjesëmarrje olimpike verore, Kosova një vend i vogël ka fituar tre medalje, të tria të arta, nga vajzat tona, nga sporti i xhudos. Pra falë këtij suksesi, rrugëtimin drejt Paris 2024, ekipi i Kosovës të barttë këtë slogan, i cili besojmë që do të jetë një motiv shtesë për gjithë ekipin olimpik të Kosovës”.
Ndryshe, deri më tani janë konfirmuar gjashtë sportistë që do të udhëtojnë drejt Parisit, pesë xhudistë dhe një nga sporti i boksit.