Koha për investime të mëdha strategjike në Kosovë

Koha për investime të mëdha strategjike në Kosovë

Ethem Çeku

Për më shumë se dy dekada, Kosova ka funksionuar pa një strategji të qëndrueshme për sektorin energjetik. Që nga viti 2000 deri në vitin 2024, vendi ka shpenzuar mbi disa miliardë euro për blerjen e energjisë elektrike nga tregjet ndërkombëtare. Këto mjete nuk janë investuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, por janë përdorur për të mbuluar mungesën kronike të furnizimit vendor, duke krijuar një varësi të rrezikshme dhe afatgjatë nga importi.

1. Liberalizimi i tregut – potencial i papërgatitur

Nga 1 qershori 2025, Kosova ka hyrë në fazën e parë të liberalizimit të tregut të energjisë, duke obliguar bizneset e mëdha që të furnizohen nga tregu i hapur. Edhe pse kjo është në përputhje me standardet e BE-së, në mungesë të një tregu të zhvilluar dhe furnizuesve vendorë, ky hap po rezulton me pasoja të rënda.

Rasti i kompanisë “Frutex” është simbolik: nga 450 mijë euro në vit për energji, ajo përballet me një faturë që mund të kalojë 1.3 milionë euro. Ky rritje drastike rrezikon qëndrueshmërinë e prodhimit dhe punësimit në sektorin privat. Pa një politikë mbrojtëse dhe stimulim për prodhuesit vendas, liberalizimi do të jetë i pabarabartë dhe shkatërrues për industrinë vendore.

2. Dështimi për ndërtimin e kapaciteteve të reja

Projekte strategjike si “Kosova C” nuk u realizuan për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe pasigurisë institucionale. Termocentralet ekzistuese, “Kosova A” dhe “Kosova B”, janë të amortizuara dhe nuk përmbushin kërkesën kombëtare.

Në vend të një strategjie energjetike me vizion të madh, Kosova ka ndjekur politika të fragmentuara, duke përqafuar mini-projekte të shpërndara, shpesh me kapacitete simbolike. Ky qasje duhet të ndryshojë urgjentisht. Tregu energjetik i Kosovës duhet të hapet për investime kapitale të mëdha, të strukturuara dhe me ndikim afatgjatë. Zgjidhjet e vogla, pa ndikim sistemik, nuk e çojnë vendin drejt sigurisë energjetike.

3. Qytetari si investitor: modeli i kooperativave energjetike

Kosova duhet të ndërrojë qasje – qytetari nuk duhet të jetë vetëm konsumator, por bashkëpronar. Modeli gjerman i kooperativave energjetike ka përfshirë mbi 200,000 qytetarë në 850 njësi prodhuese. Ky model mund të përshtatet në Kosovë:
• Qytetarët investojnë drejtpërdrejt në impiante diellore ose me erë;
• Komunat ofrojnë mbështetje logjistike;
• Shteti garanton blerjen e energjisë me çmime fikse dhe kthim të investimit;
• Fitimet shpërndahen proporcionalisht.

Ky sistem do të krijonte një ekonomi energjetike lokale, të drejtë dhe të qëndrueshme. Për këtë duhet një ligj për pronësinë qytetare në energji, si dhe mbështetje institucionale.

4. Strategjia e përbashkët shqiptare: një domosdoshmëri kombëtare

Kosova dhe Shqipëria duhet të hartojnë dhe zbatojnë një strategji të përbashkët kombëtare për sektorin e energjisë, jo vetëm për shkëmbime të përkohshme, por për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm dhe të integruar energjetik shqiptar. Kjo strategji duhet të përfshijë:
1. Balancimin sezonal të burimeve – Kosova me termik, Shqipëria me hidro, mund të ndërtojnë shkëmbim optimal dhe të parashikueshëm;
2. Integrimin e plotë të tregjeve – një treg i përbashkët do të rrisë efikasitetin, do të reduktojë humbjet dhe kostot e transmetimit;
3. Gazifikimin e Kosovës përmes Shqipërisë dhe rrjetit TAP, duke garantuar qasje në gaz natyror dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër.

Kjo strategji kërkon vullnet të përbashkët politik dhe institucional, por mbi të gjitha kërkon që të trajtohet energjia si çështje e sigurisë dhe zhvillimit kombëtar.

5. Rruga përpara
1. Hapja e tregut të Kosovës për investime kapitale strategjike – ndërtimi i impianteve të mëdha për prodhim bazë dhe të ripërtëritshëm;
2. Zbatimi i modelit të kooperativave energjetike, përfshirë qytetarët si investitorë të vegjël;
3. Riorganizimi i KEK-ut si aktor zhvillimor, jo vetëm mbajtës i krizës;
4. Treg energjetik i përbashkët me Shqipërinë – shkëmbim, magazinim dhe planifikim i përbashkët;
5. Qasje në gazin natyror dhe teknologjitë e dekarbonizimit, me lidhje përmes rrjetit TAP dhe projekteve për gazifikim të rajonit.