KMDLNj thërret qytetarët të kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike

KMDLNj thërret qytetarët të kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike

Paralajmërimi i ZRrE-së për kërkesën e operatorëve të energjisë elektrike për rritje të çmimit të energjisë elektrike është përgatitje e konsumatorëve se rryma do të shtrenjtohen mbase më pak se 30 për qind, sipas Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) është kontribut konkret për rritje të varfërisë në Kosovë e që për ndrikull e ka Qeverinë e Kosovës dhe ministrinë përkatëse.

“Qeveria e Kosovës po e luan lojën e ndyrë, në vend se të mbrojë interesat e qytetarëve, po i mbron interesat e operatorëve të energjisë elektrike. Këtë nuk e ka bërë para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 por vetëm pasi ato kanë përfunduar”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së, duke theksuar se kundërshton çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Aq më parë që nuk ka asnjë rrethanë që e arsyeton këtë rritje përveç interesit të oligarkëve qeveritarë, konsumatorëve të privilegjuar, operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturës kriminale të ZRrE-së. KMDLNj thërret qytetarët që fuqishëm të kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike shkaku se do të prodhojë efekte zinxhirore duke provokuar rritjen e çmimeve të gjithë artikujve të domosdoshëm për mbijetesë dhe shërbimeve”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.