KMDLNj reagon për rastet e fundit të kërcënimit për vrasje

KMDLNj reagon për rastet e fundit të kërcënimit për vrasje

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë me dije se brenda një qarku kohorë prej 24 orësh, nga persona me identitet real apo të sajuar janë kërcënuar me vrasje gazetarët Ilir Mirena dhe Berat Buzhala si dhe ish-kryeministri i Kosovës dhe luftëtari i orëve të para të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas KMDLNj-së, deri më tani nuk pati asnjë reagim zyrtar apo institucional ose njoftim nga organet e sigurisë për këto kërcënime që për qëllim kanë frikësimin e veprimit opozitar, atij politik si dhe të gazetarisë.

“Këto kërcënime po ripërsëriten në kohën e fushatave zgjedhore si dhe gjatë proceseve, me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Përballja joparimore midis pozitës dhe opozitës po krijon një mjedis toksik ku fjala e lirë dhe veprimi opozitar, si të drejta elementare të njeriut e që mbrohen , së paku deklarativisht nga ligji në Kosovë, seriozisht po e rrezikojnë përcaktimin dhe veprimin demokratik për të cilin janë deklaruar pozita dhe opozita. KMDLNj e dënon çdo kërcënim që e rrezikon veprimin politik opozitar dhe të pozitës sikur edhe punën e gazetarëve”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, liria e punës, fjalës dhe shprehjes janë të garantuara dhe, si të tilla janë të pacenueshme.

“KMDLNj kërkon hetime të shpejta dhe marrjen e masave në përputhje me ligjin si kusht për parandalimin e kërcënimeve tjera dhe krijimin e kushteve për aktivitet politikë pavarësisht përkatësisë politike. KMDLNj shfaq brengosje të thellë për kërcënimin e vazhdueshëm të gazetarëve në përpjekje për të penguar apo pamundësuar informimin objektiv që është edhe misioni kryesorë i gazetarisë. KMDLNj fton Prokurorinë e Shtetit që të caktojë një ekip emergjent të prokurorëve, sidomos gjatë fushatës që do të reagonte ex-officio kundër kërcënuesve dhe dhunuesve të lirisë së fjalës dhe aktiviteteve politike ndryshe përshkallëzimi i dhunës, fillimisht verbale do të përfundojë me dhunë fizike. Policia e Kosovës ka kapacitete të bollshme profesionale të pengojë dhe arrestojë dhunuesit, pavarësisht se kush janë ata. Politikanët duhet ta respektojnë kodeksin e mirësjelljes duke dhënë kontribut konkret për ulje të tensioneve gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe në kohën e tranzicionit institucional pas zgjedhjeve”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.