KFV Prishtina kampione në Ligën e Parë, siguron promovimin në Superligë

KFV Prishtina kampione në Ligën e Parë, siguron promovimin në Superligë

KFV Prishtina është shpallur kampione e Ligës së Parë në futbollin e femrave, duke e përmbyllur edicionin 2024/25 në mënyrë mbresëlënëse dhe duke siguruar promovimin në Superligë.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit, skuadra prishtinase dominoi plotësisht në përballjen ndaj KFF Feronikelit, duke triumfuar me rezultat të thellë 8:0. Me këtë fitore, Prishtina e mbylli sezonin me 60 pikë të grumbulluara, duke konfirmuar epërsinë dhe konsistencën gjatë gjithë edicionit.

Golat për skuadrën e drejtuar nga trajnerja Suada Jashari në këtë sfidë i shënuan: Alba Shabani (10’, 15’), Sahare Berisha (20’), Liza Hoxha (22’, 58’), Bardha Gjonbalaj (40’, 75’) dhe Era Seferi (90’).

Pas përfundimit të ndeshjes, u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe trofeut për kampionet, e të cilat i ndanë Vjollca Krasniqi, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, si dhe Valbona Gashi Uka, udhëheqëse e sektorit të futbollit të femrave në FFK.

E presidenti i FFK-së, Agim Ademi përmes një mesazhi i ka uruar vajzat kryeqytetase për trofeun dhe promovimin në Superligë.

“Kjo arritje është rezultat i përkushtimit, punës së palodhshme dhe vizionit të qartë që ka ky klub për zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë. Urime për futbollistet, trajneren, stafin teknik e drejtues të klubit dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në këtë rrugëtim të suksesshëm. FFK do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zhvillimin e futbollit të vajzave, si një shtyllë e rëndësishme e të ardhmes së sportit tonë. Urime titulli dhe shumë suksese në Superligë!”, ka shkruar ndër të tjera presidenti Ademi.