KFOR-i kërkon që të mbahen përgjegjës personat që e sulmuan në Zveçan
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kërkoi që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni në Zveçan vitin e kaluar të mbahen përgjegjës.
Përmes një deklarate, në shënimin e njëvjetorit të protestave të dhunshme në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Ozkan Ulutas, tha se më 29 maj 2023, pjesëtarët e këtij misioni parandaluan “përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”.
Protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it një vit më parë.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda. Në njëvjetorin e protestave të dhunshme, KFOR-i tha se sulmet ishin “të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme”.
“Sot ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e kolegëve tanë, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me misionin tonë që del nga mandati i Kombeve të Bashkuara. Kuraja e tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejmë të dhunës”, tha Ulutas, sipas një njoftimi të misionit të NATO-s në Kosovë.