KFOR-i hedh poshtë raportimet se ua ndaloi zyrtarëve hyrjen në Komunën e Leposaviqit

KFOR-i hedh poshtë raportimet se ua ndaloi zyrtarëve hyrjen në Komunën e Leposaviqit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave lokale në Kosovë kinse ky mision ka futur në listë të zezë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ua ka ndaluar hyrjen në objektin e Komunës së Leposaviqit.

“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në Kosovë. KFOR-i mban kontakte të rregullta me të gjitha palët kryesore”.

Misioni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme qe mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal.

KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë dhe është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Raportime të ngjashme për kinse ndalesë të vendosur nga KFOR-i për hyrjen e zyrtarëve të Kosovës në institucione të veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – ka pasur disa herë brenda vitit.

Më herët gjatë javës, ambasadori amerikan në shkuarje në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se aktorë të huaj keqdashës synojnë ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike, raporton Radio Evropa e Lirë.

Edhe Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se fushatat dezinformuese shpërndahen qëllimshëm në Kosovë për t’i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike.