KFF Mitrovica kampione në Ligën U13-U15

KFF Mitrovica kampione në Ligën U13-U15

Është përmbyllur edicioni i radhës i Ligës për grupmoshat 13-15 vjeç në konkurrencën e vajzave, me ndeshjen finale që u zhvillua sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në këtë finale, vajzat e KFF Mitrovica shfaqën dominim të plotë, duke triumfuar ndaj FC 2 Korriku, me rezultat bindës 3:0, duke u shpallur kampione e Kosovës në këtë kategori.

Mitrovicaset kaluan në epërsi në minutën e 27-të me golin e Selina Hamitit. Dhjetë minuta më vonë, Ariola Çelaj dyfishoi epërsinë, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Selina Hamiti, me golin e saj të dytë, në minutën e 60-të.

Kjo ndeshje përmbylli një edicion të suksesshëm të kësaj lige, që është pjesë e rëndësishme të strategjisë së FFK-së për zhvillimin e futbollit të vajzave, me theks të veçantë në përfshirjen e vajzave të reja që në moshë të hershme në këtë sport.

Me rastin e përmbylljes së edicionit dhe shpalljes së kampioneve, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përmes një mesazhi ka uruar të gjitha skuadrat pjesëmarrëse dhe veçanërisht kampionet e reja, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit të vajzave në Kosovë.

“Ky është një tregues i qartë se strategjia për zhvillimin e futbollit të vajzave tashmë po jep rezultat dhe se tashmë kemi krijuar një bazë solide për të ardhmen e këtij segmenti të rëndësishëm në futbollin tonë. Urime të përzemërta për vajzat e KFF Mitrovica për shpalljen kampione të Kosovës në këtë grupmoshë, pas fitores në finale kundër FC 2 Korriku. Ky është një sukses që dëshmon përkushtimin, talentin dhe punën e palodhshme të vajzave të reja mitrovicase, trajnerëve dhe gjithë stafit të klubit. Mitrovica, edhe një herë, dëshmoi se është vatër e talenteve në futbollin e vajzave”, ka shkruar Ademi.

Ai i ka inkurajuar të gjitha klubet që të angazhohen edhe më shumë në zhvillimin e futbollit të vajzave dhe të krijojnë hapësira për sa më shumë vajza të reja që të përfshihen në këtë sport, me synim që të ndërtojmë së bashku një të ardhme të ndritur edhe në arenën ndërkombëtare.