
KFF Dukagjini fiton Kupën e Kosovës
Kupa e Kosovës për edicionin 2024/2025 i ka takuar KFF Dukagjini. Skuadra nga Klina e ka mposhtur KFF Mitrovica pas penalltive, me rezultat 6:5, duke realizuar sukesin e parë në histori të klubit. Ndeshja pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve dy herë nga 15 minuta u mbyll baras, 1:1. Ishin mitrovicaset ato të cilat kaluan në epërsi, në minutën e 28-të, me një gol të realizuar nga Marigona Tahiri nga distanca. Megjithatë, Dukagjini reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë shifrat në minutën e 62-të përmes kapitenes, Gjenifer Pjetri.
Më pas përkundër disa rasteve të krijuara nga të dyja ekipet rezultati nuk ndryshoi dhe kësisoj fituesi u përcaktua përmes penalltive. Në serinë e 11-metërshave më të sakta u treguan futbollistet e Dukagjinit, duke shijuar gëzimin e kësaj finaleje.
Trofeun për kapitenen Gjenifer Pjetri e ndau presidenti i FFK-së Agim Ademi, ndërsa medaljet u ndanë nga Vjolla Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së, Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit të femrave në FFK, si dhe Lendita Cena kryetare e Komisionit të Garave për futbollin e femrave.
Ndërkohë, kreu i FFK-së Agim Ademi ka uruar KFF Dukagjinin për suksesin historik përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“Ky trofe është dëshmi e punës dhe përkushtimit të vajzave të jashtëzakonshme, stafit teknik dhe gjithë klubit, që me profesionalizëm e besim nuk u dorëzuan, por luftuan deri në fund që sezonin ta mbyllin me trofe. Urime për këtë moment historik dhe për trofeun që i jep krenari qytetit të Klinës dhe gjithë bashkëqytetarëve tuaj”, theksoi ndër të tjera presidenti Ademi.
Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë KFF Mitrovica u shpall kampion i Superligës së Femrave, pasi në ndeshjen e fundit të kampionatit e mposhti Dukagjinin, në Klinë, me rezultat 1:0. Do të jetë pikërisht skuadra mitrovicase ajo që edhe sivjet do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane.