Këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj, vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë

Këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj, vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë

Me ftesë të Këshillit të Kongresit të Intelektualëve Boshnjak, Këshilltarja e Presidentes, Donika Kadaj-Bujupi, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë kësaj vizite, Kadaj Bujupi ka realizuar takime me përfaqësues të institucioneve më të larta të vendit, duke përfshirë kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Qeverinë e Kantonit të Sarajevës dhe kryetarin e Kuvendit, Elvedin Okeriq.

Përgjatë kësaj vizite, Kadaj Bujupi ka takuar edhe rektorin e Universitetit Publik të Sarajevës, Rifat Skrelj, këshilltarët në kabinetin e anëtarit Beqiroviq, Mehmed Pargan e Hoda Dediq, si dhe përfaqësuesen në krye të komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë, Elvira Dushi.

Në takimet e zhvilluara, diskutimet u përqendruan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve në fushën akademike, të artit, sportit, kulturës, tregtisë dhe ekonomisë.

Fokusi i takimeve ishte eliminimi i pengesave nga regjimi i vizave dhe burokraci të tjera, të cilat mund t’i pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve të përbashkëta.

Në këtë udhëtim, Kadaj Bujupi ishte e shoqëruar nga dy anëtarë të Këshillit për Komunitetet nga radhët e boshnjakëve, Agim Ferati dhe Almedin Fejza.

Takimet dhe diskutimet e zhvilluara kanë sjellë një perspektivë të re dhe të pasur për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy shteteve.