HomeAktualeKëshilli Drejtues i PDK-së miraton Deklaratë Politike: Kërkohet votimi i Projektligjit për...

Këshilli Drejtues i PDK-së miraton Deklaratë Politike: Kërkohet votimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara

spot_img

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, pas aktgjykimit të padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ka miratuar unanimisht Deklaratën Politike prej tri pikash, përmes së cilës është kërkuar votimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar financiare nga institucionet për mbrojtjen juridike, si dhe është ofruar përkrahje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë.

KD i PDK-së e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit të Kosovës për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.

Deklarata e plotë Politike e KD të PDK-së:

DEKLARATË POLITIKE

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbledhur pas aktgjykimit të padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe përballë situatës së rënduar politike e institucionale në vend, ka diskutuar për gjendjen e krijuar dhe për përgjegjësitë që burojnë në këtë periudhë kritike për Kosovën.

Këshilli Drejtues e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe kërkon që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.

Në të njëjtën kohë, PDK kundërshton kategorikisht çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit tonë për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

PDK-ja do të vazhdojë t’i mbështesë me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike, përpjekjet për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Njëkohësisht, PDK-ja do të angazhohet për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.

Për këto arsye, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës kërkon:

  1. Shqyrtimi institucional i kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara

Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.

Ky shqyrtim duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

Institucionet e Kosovës kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë që të shqyrtojnë funksionimin e kuadrit juridik që vetë Republika e Kosovës e ka miratuar dhe, aty ku ekziston bazë kushtetuese dhe ligjore, të propozojnë ndryshimet e nevojshme.

Pavarësia e drejtësisë duhet të respektohet plotësisht. Por, pavarësia nuk përjashton transparencën, standardet e gjykimit të drejtë dhe përgjegjshmërinë institucionale.

  1. Mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel

Kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe institucionale, të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në procedurat e mëtejme juridike. Mbrojtjes duhet t’i krijohen kushtet për ushtrimin e plotë dhe efektiv të të gjitha të drejtave procedurale.

Procesi gjyqësor në Hagë ka rëndësi jetike për Kosovën, për lirinë e popullit tonë, pavarësinë e shtetit tonë dhe shtetndërtimin e deritashëm. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, për respektimin e standardeve më të larta dhe sigurimin e një procesi të drejtë në procesin gjyqësor të Apelit.

  1. Mbështetje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës mbështet organizimin e protestave popullore si shprehje e pakënaqësisë me vendimet e padrejta e të motivuara politikisht të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Prandaj, PDK fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këto protesta.

PDK kërkon unitet dhe organizim në këtë përpjekje të përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.

 

 

 

Lajmet e Fundit

Baton Haxhiu: Besoj se Uran Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së, gara do të jetë mes tij dhe Enver Hoxhajt

Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Pressing” se beson që Uran Ismaili do...

Kurti takon Kosin në Mal të Zi, flasin për anëtarësim në BE

Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal...

Kosova U15 në Baku për FIFA U-15 World Cup & Festival

Kombëtarja e Kosovës U15 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në Baku të Azerbajxhanit,...

Shiroka Pula takon ipeshkvin Dodë Gjergji, vlerëson kontributin e Kishës Katolike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin...

Më të lexuarat

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...

DEKLARATË PËR TA ZGJATUR JETËN E DHOMAVE SPECIALE

Shkruan: Hisen Berisha (Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te...