Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.
Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, komentoi mbi shpenzimet për ngrohje, duke theksuar se qytetarët e vendit pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.
“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti gjatë manifestimit, shkruan Raporto24.

