
Kërkohet përmbushja e obligimeve që dalin nga procesi i Berlinit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, ka mbajtur të martën një tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar Raportin e tretë të monitorimit me titull “Procesi i Berlinit në Agjendën e Reformave Evropiane të Kosovës: Angazhimet për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër”.
Gjatë shpalosjes së raportit Violeta Haxholli nga KDI-ja tha se, është analizuar progresi i Kosovës në këtë proces, ku janë identifikuar sfidat në zbatimin e zotimeve nga ana e Kosovës në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal/Digjitalizimit dhe Agjendës së Gjelbër/Dekarbonizimit, ku janë sugjeruar hapa konkret për zbatim efektiv.
Po ashtu u përmend që këto komponentë janë pjesë integrale e Agjendës për Reforma Evropiane për Kosovën dhe Planin e Rritjes.
Ndërsa, u theksua nevoja për konstituim të shpejtë të Kuvendit të Kosovës për të miratuar legjislacionin e nevojshëm që ndërlidhet me zbatimin e zotimeve të procesit të Berlinit.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtim të lartë politik dhe institucional ndaj Procesit të Berlinit, duke qenë një nga vendet më proaktive në rajon duke ratifikuar me efikasitet marrëveshjet përkatëse.
Megjithatë, ajo theksoi sfidat politike që pengojnë zbatimin, si bllokimi nga Serbia në transmisionin e energjisë, që ka sjellë humbje ekonomike për Kosovën por edhe gjithë rajonin.
Në fushën e digjitalizimit, ajo tha se vendi ka shënuar përparim – me mbulim të plotë të territorit me internet, kalimin në teknologjitë 4G, 4G+ dhe 5G, dhe rritjen e numrit të shërbimeve publike online nga 21 në 170 në katër vitet e fundit.
Sipas saj, edhe në energji, Kosova ka shtuar 500 megavat kapacitete të reja pas 40 vitesh dhe ka miratuar Ligjin për Energji të Ripërtëritshme.
Rizvanolli tha se janë zhvilluar shtatë skema për efikasitet energjetik, si dhe është përmbyllur ankandi i parë solar dhe është në zhvillim i dyti me kapacitet prej 200 megavat.
Në këtë kontekst ajo tha se, prioritetet e Qeverisë mbeten përmirësimi i infrastrukturës kritike dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj sfidave klimatike, veçanërisht në sektorin e ujit dhe energjisë – fusha që kërkojnë bashkëpunim më të thelluar rajonal në të ardhmen.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, theksoi rolin aktiv të shoqërisë civile në Procesin e Berlinit që nga Samiti i Triestes, duke shtyrë agjendën e energjisë së gjelbër dhe transportit të qëndrueshëm.
Ai kritikoi mungesën e progresit të Kosovës në infrastrukturën hekurudhore dhe pengesat politike që vonojnë projektet. Në sektorin e digjitalizimit, e vlerësoi Kosovën si pionere, sidomos me platformën e-Kosova dhe suksesin e marrëveshjes së Roaming-ut, por tha se duhet të përshpejtohet ritmi për të arritur marrëveshjen e Roaming me BE-në.
Sa i përket energjisë, ngriti shqetësime për mosmiratimin e Planit të ri për Energji dhe Klimë dhe mungesën e transparencës nga qeveria, ndonëse shoqëria civile ka kontribuar me komente e rekomandime.
Ai theksoi nevojën për më shumë përfshirje të OSHC-ve, transparencë dhe llogaridhënie në projektet që lidhen me fondet dhe zotimet e Procesit të Berlinit, duke rikujtuar se shoqëria civile avokon për interesin publik.
Fjalën në këtë tryezë e mori edhe zëvendësambasadori Gjerman në Kosovë, Matthias Conrad, i cili shtoi se Procesi i Berlinit është një kornizë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që ka mbështetjen e vazhdueshme të qeverive gjermane nga kancelarët Angela Merkel tek Olaf Scholz si dhe koalicioni i ri që pritet të formohet.
Ai nënvizoi rëndësinë e këtij procesi për Kosovën, duke e cilësuar si një platformë ku Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera.
Duke përmendur njohjen e dokumenteve me Bosnjën si një hap të guximshëm nga ana e Kosovës, ai vlerësoi progresin në CEFTA dhe theksoi domosdoshmërinë që qeveritë të marrin vendime të guximshme për zbatimin e zotimeve, ndërsa tha se roli i shoqërisë civile është të kërkojë llogaridhënie dhe të sigurojë që këto angazhime të zbatohen.
Në fund, u theksua nevoja për angazhim më të madh në përmbushjen e detyrave që dalin nga procesi i Berlinit dhe koordinim më i madh ndërinstitucional dhe me komunat.
Ky diskutim dhe raport analitik u realizua në kuadër të projektit: “Diplomacia parlamentare: Bashkëpunimi rajonal përmes dialogut të zgjeruar parlamentar”, i zbatuar me organizatat partnere nga rajoni, me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Jashtme.