Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.

“Ne e kemi gati ligjin që do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet. Kam diskutuar me shumë deputetë, jam e bindur që do të kalojë”, tha Osmani në një intervistë për RTV 21.

Më 3 prill, Osmani i kishte kërkuar Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

Vendimi i Trumpit përfshinte tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës me tarifë bazë prej 10 për qind, por më të lartë për vendet me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar.

Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e kishte kritikuar qasjen e presidentes Osmani duke thënë se “politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit” dhe se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.

Kjo kishte nxitur reagim nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili e kishte cilësuar përgjigjen e Muratit “të turpshme dhe skandaloze”.

Osmani tha se kjo mosmarrëveshje mes institucioneve shtetërore të Kosovës e ka dëmtuar “interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”.

“Ajo përgjigje ishte një dëm i madh për Kosovën, sepse Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën, në një moment kur për Amerikën ka qenë esenciale se kush është shteti i parë qe del me një propozim të tillë. Dhe unë kam qenë presidentja e shtetit të parë që kam dalë me atë propozim dhe ka qenë me rëndësi të dalim ne të parët”, tha Osmani.

Tarifa prej 10 për qind ndaj importeve të SHBA-së – si tarifë që Kosova ua vendos të gjitha vendeve me të cilat nuk ka marrëveshje për treg të lirë – është ende në fuqi, edhe pse Murati kishte thënë se Qeveria ka qenë duke e shqyrtuar heqjen e kësaj tarife për SHBA-në që një kohë të gjatë.

Ndërkohë, Osmani tha se ajo është duke punuar intensivisht me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ka një sërë hapash që tashmë i kemi ndërmarrë, që janë në proces e që nuk mund për momentin t’i bëj publike për shkak se janë duke u shqyrtuar nga administrata e Trumpit”, shtoi Osmani.

Ajo gjithashtu tha se shpreson që Kuvendi i ri i Kosovës të konstituohet sa më shpejt, pasi që tha se kjo është në interes të vendit.

“Kosova ka shumë punë të cilat duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për një gjë të tillë. Prandaj mbes me shpresën që 15 prilli të jetë një ditë e suksesshme për gjithë Kosovën”, tha ajo.

Nesër është caktuar seanca konstituive të Kuvendit, ku do të tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK-ja, që doli si partia e dytë në zgjedhje, ka thënë se s’do të marrë pjesë në këtë seancë.