KEK-u thotë se mbulon 83 për qind të kërkesave të FSHU-së për energji elektrike

KEK-u thotë se mbulon 83 për qind të kërkesave të FSHU-së për energji elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se aktualisht është duke prodhuar rreth 400 MW/h energji elektrike përmes dy njësive gjeneruese – B1 dhe A5.

Sipas njoftimit, bëhet me dije se në total, prodhimi ditor i KEK-ut është 8208 MWh, nga 9856 MWh sa është kërkesa e deklaruar nga KESCO për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), që do të thotë se KEK-u po mbulon rreth 83% të kësaj kërkese.

“Duhet theksuar se në Termocentralin ‘Kosova B’- në njësinë B2, është duke u zbatuar një projekt kapital për rehabilitimin e turbinave, në vlerë mbi 56 milionë euro, që përfaqëson investimin më të madh në këtë termocentral në mbi 40 vite. Ndërkohë, ekipet profesionale të KEK-ut janë duke punuar pa ndërprerje për të rikthyer në operim edhe një njësi tjetër në Termocentralin “Kosova A”, gjatë ditëve në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike në vend”, theksohet në njoftim.