
KEK-u e mohon se ka kolaps prodhimi, pasi KESCO paralajmëroi mungesë të rrymës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka mohuar se është duke u përballë me mungesë të theksuar të prodhimit të energjisë elektrike, pasi kompania për furnizim me rrymë, KESCO, u bëri paraprakisht thirrje qytetarëve ta kursejnë rrymën duke thënë se do të kishte mungesë prodhimi vendor nga e shtuna.
Në një reagim në Facebook, KEK-u tha se “operimi i njësive tona prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi”.
KEK-u e pranoi se njësitë e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi, por nguli këmbë se ekipet e tij teknike janë në “gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë”.
Sipas njoftimit, njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht, ndërsa njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve.
KEK-u është duke punuar “maksimalisht” për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të termocentralit Kosova A në ditët në vijim.
KEK-u e pranoi se do ta ndalë prodhimin mëngjesin e së shtunës në njësinë B1, për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik.
Më herët të premten, KESCO tha se po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të siguruar rrymën e nevojshme për të garantuar “qëndrueshmëri në sistem”, duke paralajmëruar mungesë të prodhimit vendor.