KEDS-i ndërron 100 mijë njehsorë mekanikë e digjitalë përgjatë këtij viti

KEDS-i ndërron 100 mijë njehsorë mekanikë e digjitalë përgjatë këtij viti

KEDS-i ka filluar implementimin e projektit më të ri për ndërrimin e njehsorëve elektrikë, atyre mekanikë dhe digjitalë te konsumatorët shtëpiakë.

Arsyeja e ndërrimit të këtyre njehsorëve është se akoma disa konsumatorë kanë njehsorë mekanikë nëpër shtëpitë e tyre, ndërkaq një numër tjetër i konsumatorëve posedojnë njehsorë digjitalë, të cilët kanë një afat të caktuar përdorimi.

Për realizimin e këtij projekti, KEDS-i ka arritur marrëveshje me një nënkontraktor, i cili numëron mbi tridhjetë ekipe që po operojnë gjithandej nëpër Kosovë në ndërrimin e këtyre njehsorëve.

Këto ekipe, të cilat po ndërrojnë mesatarisht 600 njehsorë në ditë, janë të pajisura me uniforma të KEDS-it, porse janë të identifikuara si kontraktorë.
KEDS-i kërkon mirëkuptim nga konsumatorët që të mos i pengojnë këto ekipe të autorizuara në ndërrimin e njehsorëve.

Në të kundërtën, në rast të kundërshtimit të ndërrimit të njehsorëve, KEDS-i ka arritur një marrëveshje edhe me Policinë e Kosovës për intervenim në raste të tilla.

Pas ndërrimit të secilit njehsor elektrik, konsumatorit i lëshohet në vend një procesverbal si dëshmi e ndërrimit të tij, i cili përmban të gjitha detajet mbi njehsorin e ri.

Ndërrimi i këtyre njehsorëve elektrikë po implementohet sipas planit, përmes së cilit parashihet të ndërrohen 100,000 sosh përgjatë këtij viti, duke u bazuar në listën që KEDS-i i ka ofruar kompanisë së kontraktuar, gjithnjë duke qenë nën monitorim të ekipeve përkatëse të KEDS-it.