KEDS angazhon rreth 1000 punëtorë dhe makineri të mjaftueshme për festat e fundvitit
KEDS-i njofton të gjithë konsumatorët se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për festat e fundvitit.
“Përgjatë tërë verës janë kryer të gjitha mirëmbajtjet e parapara të rrjetit elektrik shpërndarës dhe janë implementuar afro 280 projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm”.
“Për festat e fundvitit, KEDS ka angazhuar rreth 1000 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që konsumatorët tanë të kremtojnë me drita. Përveç tyre, KEDS ka angazhuar edhe makineri të mjaftueshme si mbështetje logjistike e punëtorëve në mënyrë që intervenimi, në rast nevoje, të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv. Po ashtu, për festat e fundvititi do të jenë në dispozicion 135 makineri e automjete, prej tyre: 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove”, ka njoftuar KEDS.
“Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara”.
“U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur. Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë. Falënderojmë konsumatorët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre sfidave. Paçi një vit të mbarë e të suksesshëm, ju dhe familjet e juaja! Gëzuar Viti i Ri 2025!”, ka njoftuar KEDS-i.