KDI-ja kërkon nga Kuvendi më shumë angazhim në ligjvënie dhe mbikëqyrje të qeverisë

KDI-ja kërkon nga Kuvendi më shumë angazhim në ligjvënie dhe mbikëqyrje të qeverisë

Sot u mbajt konferenca për media ku u shpalos raporti vlerësues për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror janar-korrik 2024.

Violeta Haxholli, menaxhere e projektit tha se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka shënuar një rënie në aktivitetin e tij, duke vënë theksin se për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca. Nga janari deri në fund të muajit korrik, Kuvendi zhvilloi 29 seanca, 10 prej të cilave ishin seanca plenare, kurse për shkak të mungesës së kuorumit kishte 7 vazhdime të këtyre seancave.

Përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të KDI-së për planifikim më të mirë dhe racional të punës, rendi i ditës për të gjitha seancat e rregullta ishte i stërngarkuar dhe nuk arriti të trajtohet asnjëherë në tërësi. Si rezultat, pikat e rendit të ditës kanë vazhduar të barten nga seanca në seancë.

Shkak kryesor për mosrealizim të rendit të ditës mbetet mungesa e kuorumit të nevojshëm. Vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.