Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi

Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi

Sot mbushen katër vjet që kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë dërguar në paraburgim në Hagë.

Deputetët shprehin optimizëm se Gjykata Speciale do t’i shpallë ata të pafajshëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se beson në drejtësinë dhe se katër krerët e UÇK-së do të dalin nga kjo gjykatë të pafajshëm.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, luftë çlirimtare, dhe jo një luftë okupuese në drejtim të Serbisë.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që do të dalin të pafajshëm, lufta e UÇK-së ka qenë lufta çlirimtare dhe më e pastër e një ushtrie vullnetare dhe çlirimtare, prandaj ne besojmë thellë që lufta e UÇK-së që do të dëshmohet që ka qenë e pastër dhe është e pastër në realitet ne mendojmë që edhe krerët e UÇK-së që po përballen me këtë proces gjyqësor më në fund do të dalin të pafajshëm dhe do ta fitojnë lirinë e tyre e cila e tashmë po bëhet katër vjet, një periudhë mjaftë e gjatë kohore e cila sigurisht i godet ata edhe familjet e tyre. Ne besojmë në drejtësi dhe duhet të besojmë gjithmonë në të, prandaj shpresojmë që do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Dugolli për Ekonomia Online.

Tutje, Dugolli ka theksuar se krahas pretendimeve për krime lufte nga UÇK-ja, duhet të hapet akuzë për krime të Serbisë ndaj Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha për Ekonomia Online ka deklaruar se beson se drejtësia është në favorin e UÇK-së.

Berisha ka thënë se që nga fillimi i kësaj gjykate nuk ka pasur bazë për ngritje të aktakuzave.

“Mbetem fanatik i qëndrimit se besojmë në drejtësi dhe besojmë që do të vendoset drejtësi dhe do të jetë në favor të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes liderëve të saj që sot qëndrojnë në Hagë. Që nga fillimi i kësaj gjykate ka provuar se nuk ka pasur bazë për ngritje të aktakuzave bazuar në dokumentin i cili e ka shkaktuar formimin e saj, e që është raporti i Dick Martyt i miratuar në Këshillin e Evropës. Zgjerimi i periudhës hetimore deri në dhjetor 2000 është një shkelje dhe një veprim i pandershëm i cili ka kaluar në votim edhe në këtë legjislaturë të kësaj mazhorance sepse UÇK e ka kryer misionin e saj në qershor të vitit 1999 dhe është shpërbërë përmes një procesi të atëhershëm”, ka deklaruar Berisha.