Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), kanë shprehur shqetësimin për përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe kanë apeluar te prindërit që të sigurojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), nga 16 prilli deri më 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, prej të cilave 27 vetëm gjatë javës së fundit.
Organizatat kanë rikujtuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë ndërlikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ato u kanë bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen se kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat, janë inkurajuar të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues.
Në komunikatën e përbashkët theksohet gjithashtu rëndësia e informimit të drejtë të prindërve nga profesionistët shëndetësorë, duke u bazuar në dëshmi shkencore.
Organizatat kanë përmendur edhe vlerësimin më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të publikuar në shtator 2026, sipas të cilit dëshmitë shkencore nuk mbështesin ekzistencën e një lidhjeje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit.
Në fund, KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS kanë vlerësuar përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, IKShPK-së, komunave dhe profesionistëve shëndetësorë për vaksinimin dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet dhe familjet për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim.

