Katalogu ‘Muzeu Etnografik i Gjakovës’, në shërbim të promovimit të vlerave
Këto ditë është finalizuar projekti, përkatësisht botimi i Katalogut “Muzeu Etnografik i Gjakovës”, i cili u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Drejtuesit e Muzeut në Gjakovë e kanë mirëpritur daljen në dritë të këtij botimi, i cili sipas tyre do të shërbejë në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të shprehura përmes krijimtarisë artistike dhe popullore në eksponatet muzeale.
“Është një libër i cili i ka munguar Muzeut ndër vite ku është një paraqitje grafike të disa prej eksponateve, vlerave të trashëgimisë kulturore të cilat i posedon koleksioni i muzeut etnografik. Muzeu është paraqitur në duart e publikut në një formë më të mirë, për një qasje më të mirë qoftë për studentët që e studiojnë fushën e trashëgimisë, antropologjisë, historisë por edhe për personat që kanë pasion trashëgiminë kulturore”, tha Besmir Hasi, drejtues i Muzeut.
Botimi i këtij katalogu do të ofrojë mundësi shumë më të mira për informim të publikut për Muzeun si pikë turistike e qytetit të Gjakovës.
“Është një mundësi shumë e mirë që publiku të jetë më afër duke u bazuar edhe në të dhëna zyrtare të muzeut. po shpresojmë që në ardhmen ta kemi edhe një formë digjitale po të shohim edhe mënyra tjera të prezantimit në katalogje ndoshta më të vogla që të jenë më praktikë si lloj doracaku”, shtoi Hasi.
Objekti i Muzeut etnografik i themeluar në tetor të vitit 1951 është i vendosur në një shtëpi karakteristike për qytetin e Gjakovës, me oborr të mbyllur, strukturë kjo që gjendej kryesisht në zonat urbane.