Kastrioti në finale, fiton superndeshjen me Rahovecin

Kastrioti në finale, fiton superndeshjen me Rahovecin

Kastrioti është finalisti i dytë i Kupës së Kosovës në hendboll.

Në një ndeshje të shkëlqyer, spektakël hendbolli, Kastrioti mposhti Rahovecin me rezultat 27:24.

Ndeshjen e së shtunës mbrëma në “Bill Clinton” e përcollën rreth 2500 shikues që krijuan atmosferë për mbamendje.
Ndeshja ishte shumë e fortë nga fillimi e deri në fund. Kishte duele të forta, mbrojtje të çelikta e gola shumë të bukur.

Rezultati ishte i përafërt gjatë gjithë ndeshjes.

Rron Ramadani e Deniz Terziqi ishin më efikasët te Kastrioti me nga shtatë gola. Pesë i shënoi Yassine Henahen. U dallua sidomos portieri Wadi Chebbi me pritje të shumta.

Te Rahoveci, Arbios Mushkolaj i shënoi gjashtë gola, kurse nga pesë i kishin Mali Luzha e Victor Alonso.

Kastrioti në finale përballet me Besa Famgasin. Finalja është të dielën nga ora 20:00, po në “Bill Clinton”.

Pritet tjetër ndeshje e madhe, tjetër spektakël hendbolli.