Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarësh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.

“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës është përballur shpesh me kritika nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve që ato i kanë cilësuar si të njëanshme – përfshirë heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe.

Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë ambasadorin në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kanë thënë se këto veprime ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve SHBA-Qeveri e Kosovës, raporton Rel.