Kandidatja për deputete e LDK-së liron pozitën e asamblistes në Podujevë, ia lëshon vendin një gruaje me aftësi të kufizuara

Kandidatja për deputete e LDK-së liron pozitën e asamblistes në Podujevë, ia lëshon vendin një gruaje me aftësi të kufizuara

Kandidatja për deputete e LDK-së, Arjeta Salihu-Abazi, ka liruar pozitën e këshilltares në Komunën e Podujevës.

Ajo ka bërë me dije se këtë veprim e ka ndërmarr për të mos i duplikuar pozitat dhe për të qenë korrekte ndaj funksionit të asamblistes dhe e përgjegjshme ndaj degës së LDK-së në këtë qytet.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ndihet e lumtur që në vend të saj do të vije asamblistja Qëndresa Haliti, e cila është një grua me aftësi të kufizuara.

Postimi i plotë i saj:

Të nderuar familjarë dhe miq,
Të respektuar votues,
Ju njoftoj se në seancën e mbajtur sot kam liruar pozitën e këshilltares në Komunën e Podujevës, pasi ditë më parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës jam nominuar kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës.
Këtë vendim e kam marrë për të mos i duplikuar pozitat dhe për të qenë korrekte ndaj funksionit të asambleistes dhe e përgjegjshme ndaj garës në të cilën jam futur, përmes të cilës besoj fuqishëm se do të avancoj në përfaqësimin tuaj në Kuvendin e Kosovës.
Falënderoj të gjithë votuesit e mi, kolegët dhe bashkëpunëtorët me të cilët, gjatë këtyre tri viteve, adresuam tema të ndryshme dhe ofruam mbështetje e zgjidhje aq sa kishim mundësi si opozitë.
Të dashur miq,
Jam e lumtur që në funksionin tim në kuvend do të pasohem nga Qendresa, një vajzë e fortë, për të cilën jam thellësisht e bindur se do të vazhdojë t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve në Kuvendin e Podujevës.
Ajo, me forcë dhe dashuri, u ka bërë ballë sfidave të jetës, ndaj jam besimplotë që me të njëjtin përkushtim do t’i përfaqësojë ato vlera edhe në kuvend. Këtë ma premtoi edhe në takimin e ngrohtë që pata me të dje.
Mbështetja ime do të jetë gjithmonë e pranishme për të dhe për të gjithë kolegët e tjerë, të cilëve ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë!